Tensionet me SHBA-Venezuelë, Trump bisedë telefonike më Maduron, nuk përjashtohet takimi mes dy liderëve
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli në telefon me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, javën e kaluar.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat amerikane, të cilat citojnë burime brenda Shtëpisë së Bardhë.
Mësohet se gjatë bisedës telefonike është biseduar në lidhje me një takim të mundshëm, megjithëse për këtë nuk ka plane të menjëhershme.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ishte gjithashtu i pranishëm në bisedën që u zhvillua në fund të javës së kaluar.
Disa ditë më parë, Axios raportoi se Trump dëshiron të ketë kontakte të drejtpërdrejta me Maduron.
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi zyrtarisht mbi raportin dhe qeveria venezueliane refuzoi të komentonte, por dy persona pranë qeverisë venezueliane konfirmuan se u zhvillua një telefonatë.
Vlen të përmendet se biseda u zhvillua disa ditë para se të hynte në fuqi vendimi i Departamentit të Shtetit për të shpallur Maduron udhëheqës të kartelit Del los Soles, të cilin qeveria amerikane e konsideron një organizatë të huaj terroriste.
E gjithë kjo vjen në një sfond tensionesh, pasi SHBA-të kanë forcuar ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Karaibe duke pasur parasysh Venezuelën, siç thekson New York Times.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb