Ter Stegen, i dërrmuar pas dëmtimit të ri: Gjithmonë kam qenë pozitiv, këtë herë është e vështirë
5 Shkurt 2026
11:35
Alfred Lleshi
Marc-André Ter Stegen po kalon momentin më të vështirë të karrierës së tij. Pasi humbi vendin e titullarit te Barcelona në favor të Joan Garcia, ai zgjodhi të transferohej në huazim te Girona për të gjetur vazhdimësi dhe mos rrezikuar shanset me kombëtaren, pak muaj para Kupës së Botës. Por, gjatë ndeshjes kundër Oviedo, portieri gjerman pësoi një dëmtim serioz në tendinën e kofshës së majtë.
Operacioni është i pashmangshëm dhe koha e rikuperimit vlerësohet rreth 4 muaj, goditje e fortë për ambiciet e tij. 33-vjeçari theu heshtjen në rrjetet sociale: “Shumica nuk më njeh personalisht, ndaj dua të ndaj diçka. Jam një person pozitiv, gjithmonë kam qenë i tillë dhe çdo sfidë e kam përballuar me këtë mentalitet. Sidoqoftë, këtë herë është veçanërisht e vështirë”.
Ai tregoi edhe momentin e dëmtimit: “Fundjavën e kaluar ndodhi më e keqja. Sapo kisha nisur aventurën te Girona dhe isha pritur me shumë ngrohtësi. Roli im tani ka ndryshuar plotësisht, por mbështetja ime për skuadrën nuk do të ndryshojë”. Ter Stegen theksoi lidhjen me ekipin dhe stafin: “Ndihem si në familje. Si sportistë, gëzimi ynë më i madh është të stërvitemi dhe të luajmë, por do të më duhet të ndalem për disa muaj për shkak të operacionit. Do të kthehem”.