Teuta drejt Vlorës për fitore, besim dhe rikthime në grup
Teuta do të udhëtojë drejt Vlorës për t’u përballur me Flamurtarin në ndeshjen e radhës, një duel me rëndësi të madhe për objektivat e të dyja skuadrave. Për durrsakët, kjo sfidë shihet si një test i rëndësishëm në transfertë, ndërsa Flamurtari synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës për të rikthyer vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Pas barazimit të fundit ndaj Tiranës, Teuta ka lënë pas çdo luhatje dhe ka kthyer menjëherë fokusin te ndeshja e radhës.
Përgatitjet janë zhvilluar me intensitet të lartë dhe përqendrim maksimal, nën drejtimin e trajnerit Dobi, i cili ka insistuar si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë fizik. Stafi teknik ka analizuar gabimet e fundit dhe po punon për përmirësime konkrete, duke kërkuar disiplinë taktike, qarkullim të shpejtë të topit dhe shfrytëzim më efikas të rasteve për shënim. Atmosfera në grup paraqitet pozitive, me lojtarët të motivuar dhe të ndërgjegjshëm për peshën e këtij takimi. Teuta synon të tregojë pjekuri dhe karakter në fushë, duke besuar se vetëm përmes punës dhe sakrificës mund të arrihet rezultati i dëshiruar.
GJENDJA E GRUPIT
Në prag të sfidës ndaj Flamurtarit, Teuta ka marrë lajme të mira edhe nga infermieria. Pas një periudhe me mungesa, skuadra po rifiton gradualisht elementë të rëndësishëm, duke rritur alternativat në dispozicion të trajnerit. Rikthimi në stërvitje i Boçit dhe Votlait përforcon ndjeshëm repartet përkatëse dhe i jep më shumë zgjedhje teknike stafit, qoftë edhe për aktivizim nga stoli.
TEUTA DHE FATI NË MINUTAT E FUNDIT
Në ndeshjet e fundit, Teuta duket se nuk e ka pasur fatin në anën e saj, veçanërisht në minutat vendimtare. Në tri përballjet e fundit, durrsakët kanë krijuar raste të pastra shënimi në fund të takimeve, por pa arritur t’i konkretizojnë. Simbol i kësaj mbetet mbrojtësi Jazxhi, i cili në minutën e 93-të, si ndaj Elbasanit ashtu edhe kundër Tiranës, u ndal nga shtylla, duke i mohuar Teutës pikë të çmuara. Po të ishin shndërruar në gol këto raste, Teuta sot do të kishte katër pikë më shumë dhe një pozicion më komod në renditje. Megjithatë, këto episode tregojnë këmbënguljen e skuadrës deri në fund, një element pozitiv mbi të cilin stafi teknik kërkon të ndërtojë vazhdimësinë në sfidën e Vlorës.
© BalkanWeb