Teuta nuk ka kohë për të humbur, fokusi është te verdheblutë
Teuta la pas një tjetër javë të vështirë në kampionat, pas humbjes së pësuar ndaj Vllaznisë në ndeshjen e zhvilluar të dielën. Durrsakët nuk arritën të marrin pikë nga kjo përballje, edhe pse loja dhe rastet ishin të pranishme, duke treguar se skuadra kishte mundësi reale për një rezultat pozitiv.teutaMegjithatë, mungesa e konkretizimit në momentet vendimtare bëri që në fund të mbeteshin duarbosh. Pavarësisht zhgënjimit, në kampin blu nuk ka kohë për të qëndruar gjatë te humbja. Stafi teknik dhe lojtarët janë të vetëdijshëm se sezoni është ende i gjatë dhe çdo ndeshje kërkon përqendrim maksimal. Tashmë e gjithë vëmendja është kthyer te sfida e radhës ndaj Elbasanit, një transfertë e vështirë, por ku Teuta synon të reagojë dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.
ELBASANI – Përballja me Elbasanin konsiderohet delikate, jo vetëm për faktin se luhet në transfertë, por edhe për momentin që po kalojnë të dyja skuadrat. Në këto kushte, Teuta do të kërkojë reflektim pas humbjes së fundit dhe të tregojë karakter në fushë, duke synuar marrjen e pikëve maksimale. Brenda grupit është e qartë se ka ardhur momenti që skuadra të shfrytëzojë potencialin e saj dhe të rikthehet te fitorja.
PËRGATITJET— Menjëherë pas ndeshjes me Vllazninë, Teuta ka rinisur përgatitjet për duelin e së premtes kundër Elbasanit. Ditën e djeshme, skuadra ka zbritur në fushën e lojës për seancën e radhës stërvitore. Lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen e fundit kanë zhvilluar një seancë rikuperuese, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të energjive fizike, ndërsa pjesa tjetër e grupit ka vijuar stërvitjen me intensitet normal nën drejtimin e stafit teknik. Trajneri Dobi dhe bashkëpunëtorët e tij po punojnë për të korrigjuar gabimet e evidentuara në ndeshjen ndaj Vllaznisë, veçanërisht në fazën përfundimtare, ku skuadra nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara. Në të njëjtën kohë, po punohet edhe në aspektin taktik, me synimin për t’u paraqitur sa më konkurrues në transfertën e Elbasanit.
© BalkanWeb