TikTok shmang ndalimin në SHBA
schedule09:03 – 19 Dhjetor, 2025
Pronari kinez i TikTok, ByteDance, ka nënshkruar një marrëveshje detyruese me investitorë amerikanë dhe globalë për pjesën kryesore të biznesit të tij në SHBA, siç u komunikua nga shefi i TikTokut, Shou Zi Chew, punonjësve të kompanisë.
Gjysma e bashkëpronësisë së përbashkët do t’i përkasë një grupi investitorësh, përfshirë Oracle, Silver Lake dhe firmën e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, MGX, sipas një memorandumi të dërguar nga drejtori ekzekutiv, raporton bbc.
Marrëveshja, e cila pritet të përfundojë më 22 janar, vjen pas viteve të përpjekjeve të Uashingtonit për ta detyruar ByteDancen të shesë operacionet e saj në SHBA për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare. Ky vendim përkon me një marrëveshje të raportuar në shtator, kur presidenti amerikan, Donald Trump kishte shtyrë zbatimin e një ligji që do të ndalonte aplikacionin nëse nuk shitej.
Në memorandum, TikTok thekson se marrëveshja do t’u mundësojë më shumë se 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të eksplorojnë një botë mundësish të pafundme, brenda një komuniteti global aktiv.
Sipas marrëveshjes, ByteDance do të mbajë 19.9 për qind të biznesit, ndërsa Oracle, Silver Lake dhe MGX nga Abu Dhabi do të kenë nga 15 për qind secila. Një pjesë tjetër prej 30.1 për qind do të mbahet nga partnerët e investitorëve ekzistues të ByteDance.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më parë se Oracle, e themeluar nga mbështetësi i Trumpit, Larry Ellison, do të licencojë algoritmin e rekomandimeve të TikTokut si pjesë e marrëveshjes. Kjo marrëveshje vjen pas një serie vonesash dhe sfidash në përpjekjet për ta finalizuar atë.