Tirana e Pogradeci me pikë të plota, sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë
13 Dhjetor 2025
20:29
Telesport
Janë luajtur takimet e raundit të pestë të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, duke përcaktuar edhe dy ekipet e para që avancojnë në fazën gjysmëfinale: Pogradecin dhe Tiranën.
Në Grupin A, skuadra e Pogradecit mbetet e pamposhtur, duke triumfuar në Korcë 3-1 ndaj Skënderbeut pas një loje të fortë (27-29, 25-11, 25-19, 28-26). Fitore me përmbysje për skuadrën liqenore, që këtë sezon nuk ka humbur asnjë ndeshje.
Pa probleme fiton Partizani, që në kryeqytet mundi 3-0 Korabin (25-10, 25-17, 25-13). Ndeshje në sens unik, komanduar nga kryeqytetaset, që shpresojnë ende për një vend në play off në këtë grup.
Në Grupin B, ekipi i Tiranës fitoi 3-1 ndaj Dinamos në derbin kryeqytetas, duke udhëhequr renditjen me 15 pikë të plota (25-17, 25-10, 20-25, 25-16). Bardheblutë janë ekipi i parë i kualifikuar, ndërkohë që vijon gara për vendin e dytë.
Në Shkodër, skuadra e Teutës arriti një fitore të rëndësishme ndaj ekipit vendës me rezultatin 3-0 (25-15, 25-16, 25-19). Një takim i komanduar nga vajzat durrsake, që synojnë vendin e dytë në grup dhe kualifikimin.
Kupa e Shqipërisë, Femra-Grupi A (raundi 5)
Partizani – Korabi, 3-0
Skënderbeu – Pogradeci, 1-3
Renditja: Pogradeci 15 pikë, Skënderbeu 9 pikë, Partizani 6 pikë, Korabi 0 pikë.
Kupa e Shqipërisë, Femra-Grupi B (raundi 5)
Vllaznia – Teuta, 0-3
Tirana – Dinamo, 3-1
Renditja: Tirana 15 pikë, Teuta 6 pikë, Dinamo 6 pikë, Vllaznia 3 pikë.