Tirana gjen forcën pas tragjedisë dhe fiton ndaj Flamurtarit, kaos i vërtetë në Teuta-Vora
25 Janar 2026
16:15
Telesport
Kanë përfunduar dy ndeshjet e radhës për javën e 21-të në Abissnet Superiore. Në “Selman Stërmasi”, ndeshja nisi me duartrokitje dhe lule nga lojtarët e Tiranës, në nderim të vogëlushes së shokut të tyre të skuadrës, Freddy Alvarez, e cila humbi jetën tragjikisht mëngjesin e ditës së djeshme.
Përsa i përket ndeshjes, fati i saj u vendos në minutën e 76-të, ku Mysloviç i transferuar në janar shënoi golin e parë me fanellën e bardhebluve. Sigurisht që goli iu dedikua Irina Alvarez, duke marrë duartrokitjet e gjithë tifozëve të pranishëm në stadium. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Tirana fiton 1-0 ndaj një rivali direkt në garën për mbijetesë.
Në “Niko Dovana”, Teuta dhe Vora u ndanë në barazim 1-1. Vora gjeti e para golin në minutën e 26-të me Irgi Kasalla, ndërsa barazimi i vendasve do të vinte në fund të ndeshjes në minutat shtesë, konkretisht 90+2, falë një penalltie, që shkaktoi kaos të vërtetë, pas një faulli brenda në zonë. SHIKOMOMENTIN
Fillimisht arbitri kryesor i takimit ishte i mendimit për pozicion jashtë lojë gjatë aksionit, më pas ndërroi mendje dhe drejtoi gishtin nga pika e bardhë e penalltisë. Vora proteston ashpër dhe braktis ndeshjen për disa minuta dhe rikthehen në fushë pas 10 minutash. Durrësakët barazojnë shifrat, Xhuljano Macolli tregohet i saktë nga pika e bardhë.