Trump shpall urdhër të ri për bombarduesit B-2 dhe njofton operacione kundër trafikantëve të drogës në Venezuelë
Presidenti Donald Trump tha të enjten gjatë një telefonate me anëtarë të ushtrisë amerikane se administrata e tij ka porositur “shumë të tjerë” nga bombarduesit e fshehtë B-2 , lloji i përdorur në sulmet ndaj tre objekteve bërthamore iraniane këtë verë.
“Këta bombardues të bukur B-2 kanë eliminuar plotësisht aftësinë bërthamore të Iranit”, tha Trump, duke përsëritur një pretendim që është kundërshtuar. “Ne sapo porositëm shumë të tjerë, dhe arsyeja pse e bëmë këtë është sepse janë plotësisht të pabesueshëm, plotësisht të padukshëm”, shtoi ai.
Bombarduesit strategjikë subsonikë B-2 Spirit (Northop), me formë lambda dhe karakteristika që shmangin radarët, vlerësohet se kanë kushtuar rreth 740 milionë dollarë secili kur u ndërtuan. Bazuar në atë që dihet, 21 nga 132 të planifikuar fillimisht për t’u ndërtuar janë blerë dhe kanë hyrë në shërbim. Ato mund të mbajnë armë konvencionale dhe bërthamore.
Trump shmangu të thoshte konkretisht se sa bombardues u porositën.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se SHBA-të “shumë shpejt” do të fillojnë të synojnë “trafikantët e drogës” në Venezuelë duke kryer operacione “në tokë”, jo vetëm në det.
“Ndoshta e keni vënë re se njerëzit nuk duan të trafikojnë (drogë) më nga deti, dhe ne do të fillojmë t’i ndalojmë ata edhe në tokë”, siguroi miliarderi republikan në një video-thirrje me personelin ushtarak amerikan, me rastin e festës së Falënderimeve, e cila u transmetua në televizion. “Rrugët tokësore janë më të lehta, por do të fillojmë shumë shpejt”, shtoi ai.
Që nga fillimi i shtatorit, forcat e armatosura amerikane kanë nisur më shumë se 20 sulme kundër motoskafeve që Uashingtoni thotë se transportonin drogë në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke vrarë të paktën 83 persona.
Uashingtoni dërgoi, ndër të tjera, aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald Ford, me forcën e saj ajrore të sulmit, në Karaibe në mesin e nëntorit, si pjesë e asaj që administrata Trump pretendon se është një operacion për të luftuar trafikimin e drogës.
Nga ana tjetër, Presidenti Venezuelan Nicolas Maduro sheh një pretekst për një operacion amerikan për të përmbysur qeverinë e tij dhe që SHBA-të të sekuestrojnë fushat e naftës në vendin e tij.
Trump ka miratuar operacione sekrete të CIA-s në Venezuelë dhe nuk përjashton një operacion ushtarak, megjithëse në të njëjtën kohë siguron se ka ndërmend të diskutojë me Maduron.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb