U braktis nga shoku i tij pasi makina ra në përrua në Klos, palombarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për 30-vjeçarin në ditën e shtatë
30-vjeçari Jurgen Karaj u aksidentua me automjet orët e para të mëngjesit të datës 10 janar, duke përfunduar në përroin e Darsit.
I riu ishte pasagjer në automjetin e drejtuar nga 24-vjeçari Andi Losha. Ky i fundit arriti të mbijetojë, ndërsa për 30-vjeçarin nuk ka asnjë gjurmë.
Palombarët e RENEA-s vijojnë kërkimet në ditën e shtatë, përgjatë ujërave të lumit Mat.
Pas kësaj ngjarje 24-vjeçari, Andi Losha ra në prangat e policisë, pasi, përveçse u largua dhe e la atje mikun e tij, i riu gjithashtu rezultoi se po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Njoftimi i Policisë
Polumbarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në lumin e Matit, për gjetjen e 30-vjeçarit, shtetasin J. K.
Prej datës 10 janar 2026, polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit J. K., 30 vjeç, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke e çuar më pas në lumin Mat.
Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.
Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 30-vjeçarit.
Angazhimi i strukturave të Policisë së Dibrës, Polumbarëve të Renea-s, Forcave Kombetare të Sigurisë dhe strukturave të tjera të përfshirë në operaionin e kërkimit për të bërë të mundur gjetjen e trupit të 30-vjeçarit ka qenë i plotë dhe vijon me intensitet e në mënyrë të pa ndërprerë.
© BalkanWeb