Ukraina mohon pretendimin e Moskës se kontrollon plotësisht Kupyanskun – Rusia sulmon Kievin
Shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Shirsky, deklaroi të premten se trupat ukrainase po mbajnë pozicionet e tyre dhe po përpiqen të shtyjnë mbrapsht forcat ruse në Kupyansk, pavarësisht pretendimeve të Moskës se qyteti ndodhet plotësisht nën kontrollin e tyre.
Rusia pushtoi Kupyansk-un në javët e para të agresionit të vitit 2022, por ushtria ukrainase e rimori qytetin disa muaj më vonë. Javën e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin tha se qyteti ishte sërish nën kontroll të plotë rus.
Gjenerali Shirsky i hodhi poshtë deklaratat e Kremlinit, duke i cilësuar si “pretendime të rreme”. Në një postim në Telegram, pas vizitës së tij në rajonin e Kharkiv, ai tha se forcat ukrainase po kryenin operacione për “stabilizimin e situatës në Kupyansk” dhe po intensifikonin sulmet për të ndërprerë linjat e furnizimit të rusëve.
Ndërkohë, komandanti ushtarak i Kievit, Timur Tkachenko, njoftoi në Telegram se dronët rusë kanë goditur dy zona në periferi të kryeqytetit ukrainas, përfshirë një lagje qendrore dhe një rajon në lindje të qytetit. Të paktën një kompleks banimi ka pësuar dëmtime.
Mediat ukrainase publikuan pamje të një ndërtese apartamentesh të përfshirë nga flakët. Agjencia Reuters theksoi se nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur informacionet e raportuara.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb