Ukraina pritet të heqë dorë nga disa pjesë të territorit dhe disa armatime, sipas planit të paqes të SHBA-së
SHBA ka sinjalizuar Presidentit Volodymyr Zelenskiy se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga amerikanët, për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Propozohet që Kievi të heqë dorë nga pjesë të territorit dhe disa armatime, thanë të mërkurën dy persona në brendësi të çështjes.
Burimet, të cilat kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se propozimet përfshinin, ndër të tjera, edhe zvogëlimin e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës. Ata thanë se Uashingtoni dëshiron që Kievi të pranojë pikat kryesore.
Një plan i tillë do të përfaqësonte një pengesë të madhe për Kievin, që pëson humbje të mëtejshme territoriale në Ukrainën lindore dhe me Zelenskiyn që po përballet me një skandal korrupsioni në të cilin parlamenti shkarkoi ministrat e energjisë dhe të drejtësisë të mërkurën.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha më parë Reuters se Kievi kishte marrë “sinjale” në lidhje me një sërë propozimesh të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës që Uashingtoni i ka diskutuar me Rusinë. Ukraina nuk ka pasur asnjë rol në përgatitjen e propozimeve, tha burimi.
Zelenskiy, i cili zhvilloi bisedime në Turqi me Presidentin Tayyip Erdogan, do të takohet me zyrtarë të Ushtrisë Amerikane në Kiev të enjten.
Shenjat e një përpjekjeje të ripërtërirë të udhëhequr nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftë,s shkaktuan të mërkurën rritjen më të madhe të çmimeve të obligacioneve qeveritare të Ukrainës, çka nuk po ndodhte për muaj të tërë.
Nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë mes Kievit dhe Moskës, që nga një takim në Stamboll në korrik dhe forcat ruse kanë vazhduar luftën gati katërvjeçare në Ukrainë , duke vrarë 25 persona në sulmet ajrore gjatë natës.
Përpjekjet për të ringjallur negociatat e paqes duket se po fitojnë vrull, megjithëse Moska nuk ka treguar shenja se do të ndryshojë kushtet e saj për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar prej kohësh Kievit të heqë dorë nga planet për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të dhe për të tërhequr trupat e saj nga katër provinca që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë. Moska nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka hequr dorë nga ndonjë nga këto kërkesa dhe Ukraina thotë se nuk do t’i pranojë ato. / abcnews.al/
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

