Ushtria izraelite nis nj operacion t ri n Bregun Perndimor: Nuk do lejojm terrorizmin t zr rrnj ktu!
Ushtria izraelite njoftoi sot se gjatë natës ka nisur një “operacion të ri kundër terrorizmit në shkallë të gjerë” në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar.
“Gjatë natës, forcat izraelite filluan veprimet si pjesë e një operacioni të gjerë kundër terrorizmit në rajonin e Samarisë së Veriut,” thuhet në deklaratë, duke përdorur emërtimin biblik për zonën veriore të Bregut Perëndimor, që përdoret zakonisht nga autoritetet izraelite.
“Nuk do të lejojmë që terrorizmi të zë rrënjë në këtë zonë,” u theksua më tej.
I pyetur nga Agjencia Franceze e Lajmeve, ushtria sqaroi se nuk bëhet fjalë për një vazhdim të operacionit të mëparshëm kundër terrorizmit që filloi në janar 2025 dhe kishte në shënjestër kampet e refugjatëve, por për një operacion të ri, pa dhënë detaje mbi objektivat.
Dhuna në Bregun Perëndimor, e cila u shpërthye pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor 2023, nuk është qetësuar, megjithë armëpushimin e brishtë që hyri në fuqi më 10 tetor.
Që atëherë, mbi një mijë palestinezë, si anëtarë grupesh të armatosura, ashtu edhe civilë, janë vrarë nga sulmet e ushtrisë ose të kolonëve izraelitë, sipas një përllogaritjeje të Agjencisë Franceze të Lajmeve bazuar në të dhënat e Autoritetit Palestinez.
Në të njëjtën periudhë, sipas të dhënave zyrtare izraelite, të paktën 43 izraelitë, civilë dhe ushtarakë, janë vrarë në sulme palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi se në tetor është shënuar kulmi i “sulmeve të kolonëve që shkaktuan viktima, dëme materiale, ose të dyja” që prej gati dy dekadash që mbahen të dhënat për këtë zonë palestineze.
Më 10 nëntor, një izraelit u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm me thikë të kryer nga dy palestinezë, të cilët u qëlluan për vdekje menjëherë nga ushtarët pranë Betlehemit, në jug të Bregut Perëndimor.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb