Vasseur: Melburni është vetëm gara e parë e sezonit, makinat do të ndryshojnë shumë përgjatë vitit
25 Janar 2026
16:51
Telesport
Në një Formula 1 që lëviz gjithmonë shpejt, Fred Vasseur po përpiqet të predikojë qetësi. Drejtori i ekipit Ferrari ishte një nga figurat kryesore në prezantimin e SF-26 të ri në pistën vendase të Fiorano. Vasseur është i vetëdijshëm se është e nevojshme të shihet në planin afatgjatë, veçanërisht në një sezon që përbëhet nga 24 gara dhe gjashtë sprint.
Në lidhje me garën e parë që zhvillohet në Australi më 8 mars, ai tha: “Sinqerisht, është shumë herët për të bërë parashikime. Jemi këtu për të punuar, për t’u zhvilluar, për t’u përmirësuar dhe pastaj do të shohim se si është situata në Melburn. Ka ende shumë rrugë për të bërë deri në Melburn. E rëndësishme ishte ta nxirrnim makinën në pistë pa probleme”.
“Kemi ende shumë rrugë për të bërë dhe mendoj se ritmi i zhvillimit do të jetë shumë më i lartë këtë sezon se sa ai që patë vitin e kaluar. Askush nuk e di se si do të jetë situata pas disa javësh, por ne patjetër e dimë se duhet të bëjmë çmos për të vazhduar mbledhjen e të dhënave, zhvillimin e makinës dhe përqendrimin te vetja“, deklaroi Vasseur.
“Do të shohim se si do të shkojnë gjërat në Melburn, por Australia nuk do të jetë fundi i kampionatit. Lidhur me aerodinamikën, këtë javë po bëjmë ende një hap të rëndësishëm, dhe kjo vlen për ne dhe të gjithë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar te vetja, duke u përpjekur të bëjmë një punë të mirë në zhvillim gjatë dy javëve të ardhshme dhe gjatë gjithë sezonit. Por tani për tani, është ende shumë herët për të pasur ndonjë pritje,” përfundoi Vasseur.