“Vetëm diplomacia nuk mungon”/ Samitet në Berlin dhe Bruksel, Auron Dodi: Gjermania riktheu BE-në në negociatat për paqen në Ukrainë
Analisti Auron Dodi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me News24, ka komentuar situatën pas Samiteve në Berlin dhe Bruksel.
Ai u shpreh se ishte Gjermania ajo që riktheu Bashkimin Evropian në negociatat për paqen në Ukrainë. Sipas tij, samiti në Berlin bashkoi evropianët me negociatorët kryesorë të Donald Trump-it dhe me presidentin ukrainas Zelenski.
Intervista:
Pas kesaj lidhjeje në DW fillojne pushimet e Krishtlindjeve dhe vitit te ri edhe per lidhjen, ndaj shfrytëzoj rastin t’ju falenderoj për bashkëpunimin tonë dhe t’ju uroj përzemërsisht Krishtlindje të gëzuara, një Vit të Ri me fat dhe shëndet për ju 2026! Jemi në komunikim sërish në vitin e ri.
…
News24: Berlini, ishte këtë javë epiqendra e vëmendjes botërore, me samitin e posaçëm për Ukrainën, që mblodhi evropianët, amerikanët dhe ukrainasit. Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW. Auron, përshëndetje. Përmbledhtazi, cilat pika duhet të theksohen nga samiti i Berlinit dhe ditët që pasuan?
Auron Dodi: Gjermania e riktheu Bashkimin Evropian në negociatat për paqen në Ukrainë, në sajë të veprimeve të kancelarit Merz. Samiti në Berlin bashkoi evropianët me negociatorët kryesorë të Donald Trump-it dhe me presidentin ukrainas Zelenski.
Bashkimi Evropian mori në Berlin vendimin për të krijuar një trupë shumëkombëshe për Ukrainën, të drejtuar nga evropianët dhe të mbështetur nga amerikanët.
Në konferencën e shtypit, të hënën pas samitit, kancelari Friedrich Merz tha se
“në ditët e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një përparimi të rëndësishëm diplomatik, ndoshta më të rëndësishmin që nga fillimi i luftës”. Dy ditë më vonë para Bundestagut, Merzi shtoi se „vetëm diplomacia nuk mjafton“.
News24: Këmbëngulja e Komisionit Evropian dhe Gjermanisë për shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse në BE për Ukrainën nuk përfundoi si nisi megjithatë…
Auron Dodi: Po, kompromisi i mbrëmshëm në Bruksel parashikon që kredia prej 90 miliardë eurosh për buxhetin e Ukrainës të garantohet nga buxheti i Bashkimit Evropian dhe jo nga asetet e ngrira ruse. Asetet ruse do të mbahen të ngrira dhe u la detyrë të punohet ende për një mënyrë shfrytëzimi. Kjo megjithë se kishte një dakordim parimor për shfrytëzimin që tani të aseteve, siç deklaroi të enjten në mbrëmje kryeministri polak Donald Tusk. Po edhe tani, ndarjet përbrenda nuk e penguan BE të financojë për rreth dy vjet me kredi buxhetin e Ukrainës.
Media publike gjermane u referohet diplomatëve. Ata thanë se plani fillestar për asetet ruse nuk funksionoi në fund kryesisht nga mospranimi i Francës dhe Italisë. Ato refuzuan të sigurojnë Belgjikën se do të përballohen bashkë, për të gjitha rreziqet ligjore. Në Belgjikë janë shumica e aseteve ruse. Dhe Belgjika druhej për hakmarrje ndaj personave privatë dhe pasurive të saj. Përfaqësues rusë, sipas radios DLF, e quajtën këtë fitore të ligjit dhe arsyes së shëndoshë.
Presidenti francez Macron tha më tej në Bruksel se ka ardhur koha të flitet me Putinin, se nuk është optimale të flasësh me ndërmjetës që flasin me Putinin.
Të tërheq vëmendjen kjo, pasi indirekt Macroni kritikon faktin e bisedimeve me ndërmjetësit amerikanë në Berlin. Kjo në një kohë kur vëzhgues kujtojnë se negociatat me ndërmjetësit Ëhitkoff dhe Kushner janë si të kesh Presidentin Trump në tryezë. Ëhitkoffi dhe dhëndri i Trumpit, Kushner janë ndër njerëzit më të afërt të Trumpit.
Një detaj kalimithi: gazeta franceze “Le Monde” kishte shkruar më parë se francezët ishin zemëruar që samiti i fundjavës u mbajt në Berlin, jo në Paris. Edhe praninë në Berlin, Macroni e kishte konfirmuar në minutën e fundit.
News24: Samiti i Berlinit për paqen në Ukrainë qe i suksesshëm, por si ngjarje erdhi disi papritur për vëzhguesit, apo jo?
Auron Dodi: Po, e vërtetë. Edhe gazeta gjermane Bild pyeste të hënën “si ia doli Kancelari kësaj mrekullie?” Kancelari Merz veproi shpejt dhe me guxim. Dhe tregoi aftësi drejtuese.
Edhe gazeta franceze “Le Monde” pranon se “kancelari konservator Friedrich Merz është afirmuar si udhëheqësi i pakontestuar i Evropës në çështjen e Ukrainës”.
“Le Monde” veçoi se roli qendror i Gjermanisë vjen nga statusi i saj, si ekonomia më e madhe e BE dhe mbështetësja e dytë më e madhe, ushtarake dhe financiare, e Ukrainës.
Dëshiroj të kujtoj edhe elementin moral: nuk duhen harruar as mbi një milion ukrainasit e ardhur në Gjermani prej shpërthimit të luftës, grupi më i madh i zhvendosur në Evropë, që mbështeten nga taksapaguesit gjermanë.
Gjithashtu pala britanike, ministri i Mbrojtjes John Healey, e quajti samitin e Berlinit moment me rëndësi thelbësore në luftë. Për përpjekjet e mëdha diplomatike, kancelari Merz mori lëvdata në Bundestag nga të gjitha partitë pa përjashtim, madje edhe nga partia ultra e djathtë AfD dhe ultra e majta, E Majta.
News24: A pritet të çojnë takimet në Berlin në një përparim vendimtar?
Auron Dodi: Takimi krijoi bazën për punë të mëtejshme. Pritet që përpjekjet të vazhdojnë në kuadër grupesh pune.
Ndërmjetësi amerikan Steve Ëitkoff deklaroi se “është bërë një përparim i madh”. Jozyrtarisht, amerikanët lavdëruan organizimin gjerman, aftësinë për të mbledhur evropianët. Gazetarëve të CNN-it në Berlin pala amerikane iu tha se “90% e problemeve tani janë zgjidhur”.
Në fakt, në Berlin u bë e ditur edhe tërheqja e aplikimit të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO. Presidenti ukrainas pranoi para medieve se “disa partnerë në SHBA dhe Evropë nuk e kanë mbështetur këtë rrugë”.
Në këmbim, Kievi kërkon mekanizma “të detyrueshëm ligjërisht” të mbështetjes. Evropianët treguan në Berlin gatishmëri për të drejtuar sigurimin e paqes në Ukrainë. Një forcë shumëkombëshe e udhëhequr nga Evropa do të ndihmojë në rigjenerimin e forcave ukrainase, sigurimin e hapësirës ajrore dhe garantimin e sigurisë detare.
Deklarata interpretohet se do të ketë edhe dislokim të ushtarëve evropianë në Ukrainë në kuadër operacionesh, pas vendosjes së paqes, siç u shprehën britanikët.
News24: Sa e sigurt është garancia se amerikanët do të mbështesin për sigurinë në Ukrainë më pas gjithçka?
Auron Dodi: Kancelari Merz konfirmoi të martën (16.12.) në televizionin ZDF se “gatishmëria e SHBA për të ofruar garanci sigurie, të ngjashme me detyrimin e NATO-s” është e re. Angazhimin amerikan e kishte konfirmuar edhe Presidenti Trump.
Ajo që mbetet më e vështira është çështja e territoreve. Amerikanët thanë se për territoret duhet të dakordësohen Ukraina dhe Rusia. Duket sikur edhe pozicioni evropian për territoret ukrainase është zbutur. Pasi nuk kundërshtohet më çdo lëshim i territoreve nga Ukraina, por thuhet, që Ukraina të vendosë vetë.
© BalkanWeb