VIDEO/ Aksident tragjik në Durrës! Makina “fluturon” nga Ura e Dajlanit, humb jetën një vajzë, shoferi në gjendje kritike
Një aksident i rëndë ka ndodhur pak çaste më parë te Ura e Dajlanit, ku një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura në një lartësi rreth 30 metra, duke përfunduar poshtë saj.
Sipas informacioneve paraprake, një vajzë ka humbur jetën në vend, ndërsa shoferi, një i ri, ndodhet në gjendje kritike dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit, duke qenë ende me shenja jete.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të nxjerrë të aksidentuarin nga mjeti i shkatërruar plotësisht. Poshtë urës ndodhet një dyqan lulesh, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Identiteti i viktimës dhe i të plagosurit ende nuk dihet.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti mund të ketë lidhje me punimet e fundit në Urën e Dajlanit, ku një korsi ka qenë e bllokuar, duke shkaktuar trafik të rënduar në zonë, deri në hyrje të Portit të Durrësit.
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
© BalkanWeb