(VIDEO) Dy gola dhe raste të shpërdorura, Interi nuk fal dhe tenton “arratisjen” në krye!
7 Janar 2026
22:57
Telesport
Interi nuk shpërdoron rastin e artë të barazimit të Napolit. Skuadra e Chivu fiton në Parma, aty ku trajneri zikaltër ishte sezonin e shkuar dhe arriti shpëtimin nga rënia në kategori. Mjaftuan dy gola për pjesë, ai i Di Marcos në fund të pjesës së parë dhe ai i Thuram në fund të ndeshjes.
Në fakt, rezultati mund të kishte qenë më shumë i thellë pasi rastet e miqve ishin të shumta për të shënuar më shumë gola me dy shtylla, pritje të portierit dhe sidomos gabime para portë. Për vendasit, vetëm një mundësi e mirë, në pjesën e parë.
Chivu, që e nisi duke lënë në stol Zielinski, Thuram, Bastoni dhe Barella, arriti të bëjë një mini-rotacion teksa në pjesën e dytë do të hidhte në fushë të gjithë veç Bastonit, që e la pushim. U rikthye nga dëmtimi edhe Acerbi, i aktivizuar në fund. Me këtë fitore, Interi shkon kështu 42 pikë, 4 më shumë se Napoli dhe se Milani, por kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e tyre nesër ndaj Genoas. Ndërkohë, Napoli do të përballet me zikaltërit në San Siro të dielën.