VIDEO/ I plagosur rëndë dhe i shtrirë në tokë, qëlloi dy anëtarë të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, pamje nga arrestimi i autorit
Dy anëtarë të Gardës Kombëtare në SHBA u plagosën rëndë, pas një sulmi me armë zjarri vetëm pak metra larg stacionit të metrosë Farragut West dhe shumë pranë perimetrit të Shtëpisë së Bardhë. I dyshuari, një shtetas afgan, u qëllua nga një anëtar i tretë i rojes dhe ndodhet në gjendje kritike në spital.
Një video e qarkulluar në rrjetet sociale tregon momentet kur autoritetet ndërhyjnë për të neutralizuar sulmuesin. Sipas Policisë së Uashingtonit, personi i armatosur iu afrua tre pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të angazhuar në patrullim dhe hapi zjarr pa paralajmërim. Ai qëlloi fillimisht një ushtar, më pas shënjestroi një të dytë, dhe tentoi të qëllonte sërish mbi viktimën e parë nga afërsia. Në atë moment, një ushtar i tretë reagoi duke ia kthyer zjarrin dhe duke e vënë autorin nën kontroll.
Dy efektivët e plagosur u transportuan menjëherë në spital dhe po trajtohen në gjendje kritike. Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, dhe drejtori i FBI-së, Cass Patel, konfirmuan se të plagosurit janë gjallë, duke hedhur poshtë raportimet e para të guvernatorit të Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, i cili më vonë i tërhoqi deklaratat duke folur për “informacione kontradiktore”.
Hetuesit e kanë identifikuar të dyshuarin si një shtetas afgan që ka emigruar në SHBA në vitin 2021 dhe ka banuar në shtetin e Uashingtonit. Identifikimi paraprak është bërë përmes gjurmëve të gishtërinjve, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat për konfirmimin përfundimtar. Burime të hetimit bëjnë me dije se ai kishte paraqitur kërkesë për azil në vitin 2024, e cila ishte miratuar në fillimin e këtij viti.
Pistoleta e përdorur në sulm u gjet në vendngjarje dhe është sekuestruar. Hetimet po përqendrohen te mënyra se si i dyshuari e ka siguruar armën dhe mbi motivet e mundshme. Deri tani, nuk ka prova për bashkëpunëtorë apo për një veprim të organizuar, megjithatë autoritetet nuk përjashtojnë asnjë skenar, përfshirë edhe një motiv të mundshëm me karakteristika terroriste.
Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump dënoi ashpër sulmin, duke e quajtur autorin “kafsha që qëlloi dy Rojet Kombëtare” dhe duke deklaruar se “do ta paguajë shtrenjtë” aktin e tij.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb