VIDEO/ “Kryeministri do t’i merrte dosjet hetimore”, Shehaj: Përgjimet e reja treguan se si zyrtarë të administratës hakëruan SPAK për llogari të Ramës
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaron se përgjimet e reja të SPAK-ut tregojnë se zyrtarë të lartë të administratës së Edi Ramës kanë hakeruar emailet e prokurorëve për të marrë dosje hetimore dhe për t’ia dërguar Kryeministrit, duke ushtruar presion dhe kërcënuar drejtësinë.
Sipas tij, kjo dëshmon përpjekjen e mazhorancës për të ndalur me çdo kusht hetimet ndaj zyrtarëve të korruptuar, ndaj qytetarët duhet të mbështesin drejtësinë dhe t’i japin fund pandëshkueshmërisë.
“Është çmenduri se çfarë del në dosjen e SPAK-ut në lidhje me hakerimin e emaileve të prokurorëve. Praktikisht janë 2 zyrtarë të lartë të administratës së Ramës që flasin me njëri-tjetrin. Dhe njëri thotë: “Shpresoj që të shkarkojë dosjet se do t’ia dërgoj Edi Ramës dhe do t’i thyejmë në mes prokurorët.”
Ata përdorin një gjuhë tjetër, shumë fyese, po ky është thelbi i asaj që thonë me njëri-tjetrin. Praktikisht, jemi në një moment shumë të vështirë. Rama është i dëshpëruar. Mazhoranca është e dëshpëruar. Do të dijë, kur sapo është hetuar Erion Veliaj, sapo është arrestuar Erion Veliaj, mazhoranca do të dijë kush po hetohet dhe cilat janë provat që prokurorët kanë.
Praktikisht arrijnë deri aty sa hakerojnë emailet e prokurorëve. Marrin dosjet, marrin informacionet për Ahmetajn, për Veliajn, për Gjiknurin, për Ulsi Manjën. Praktikisht duan të dinë gjithçka. Duhet të ndalin me çdo kusht drejtësinë. Jemi shumë afër zgjedhjeve në atë kohë. Bëhet fjalë për shkurtin e vitit të kaluar. Praktikisht është e qartë që mazhoranca do të ndalojë me çdo kusht drejtësinë.
Drejtësia është e vetmja që mund t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe mund të nxjerrë para drejtësisë të korruptuarit. Prandaj duhet të vazhdojmë, duhet të mbështesim drejtësinë. Ju ftoj të firmosni deklaratën në mbrojtje të drejtësisë! 100 mijë firma do të shkojnë në Kongresin Amerikan, në Parlamentin Europian. Duhet t’u themi ndërkombëtarëve që shqiptarët janë me drejtësinë; duan fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri” – u shpreh Shehaj.
© BalkanWeb