VIDEO/ Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, arrestohet në Fier 43-vjeçari me dy identitete, pritet ekstradimi drejt Italisë
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka finalizuar një tjetër aksion për lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i koduar “Operacionalja 74” u zhvillua në Fier, ku u kap dhe u vu në pranga një shtetas i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të narkotikëve.
I arrestuari është E. Z., alias R. Z., 43 vjeç, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Gjykata e Cantalissetta-s në Itali i kishte caktuar më 1 shtator 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh ndërmorën veprime të koordinuara për identifikimin dhe kapjen e 43-vjeçarit, i cili tashmë ndodhet në pranga në pritje të procedurave për ekstradim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të vijojë me procedurat e nevojshme për dorëzimin e tij tek autoritetet italiane.
Operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, sipas Policisë së Shtetit, do të vijojnë pa ndërprerje.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb