VIDEO/ U përfshi nga zjarri, shkrumbohet plotësisht një biznes në Vaun e Dejës
schedule09:52 – 13 Dhjetor, 2025
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë natës një supermarket në zonën e Kryebushatit, në Bashkinë Vau-Dejës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët kanë shpërthyer rreth orës 01:00 pas mesnate dhe janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin e supermarketit.
Për shkak të intensitetit të zjarrit, në vendngjarje kanë ndërhyrë disa mjete zjarrfikëse nga Shkodra, Vau-Dejës dhe Lezha, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e flakëve në objektet përreth.
Si pasojë e zjarrit, supermarketi është shkrumbuar pothuajse plotësisht, ndërsa dëmet materiale raportohen të jenë të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, pasi në momentin e rënies së zjarrit objekti ka qenë i mbyllur.
Shkaqet e rënies së zjarrit sipas policisë vendore të Shkodrës janë për shkak të një shkëndije elektrike.