VIDEO/ Vlorë, vendosën lëndë plasëse në portën e një banese, vihen në pranga autorët e dyshuar babë e bir
Zbardhet ngjarja e ndodhur 3 javë më parë në qytetin e Vlorës, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e një banese.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe strukturat hetimore të DVP Vlorë nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u identifikuan, lokalizuan dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar, babë e bir.
Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 29.11.2025, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës së një shtetaseje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Objektivi”.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë ndalimi, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja”, i dy shtetasve (babë e bir), konkretisht:
D. G., 59 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë;
F. B., 29 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbajtur në banesën e tyre automjetin tip “Volkswagen Golf Plus”, i cili rezulton i vjedhur në qytetin e Elbasanit.
Më pas, më datë 29.11.2025, ky automjet dyshohet se është përdorur nga këta shtetas për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., ku dyshohet se është vendosur një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës, e cila më pas ka shpërthyer.
Pas kryerjes së ngjarjes, automjeti i përdorur nga këta shtetas është gjetur i djegur në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale përkatëse, ndërkohë që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
© BalkanWeb