Vietnam, 41 të vdekur dhe nëntë të zhdukur nga përmbytjet
schedule19:08 – 20 Nëntor, 2025
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, të shkaktuara nga javë të tëra reshjesh të jashtëzakonshme në Vietnam kanë lënë të paktën 41 persona të vdekur dhe nëntë të zhdukur, duke çuar në evakuimin e dhjetëra mijëra njerëzve, raportuan sot autoritetet.
”Rreth 62 000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në zonat e prekura, ku rrugët kryesore janë prekur nga rrëshqitjet e tokës dhe një milion njerëz janë pa energji elektrike”, shtuan ato.
Në rajonin malor të Da Lat, reshjet e shiut kanë arritur në 600 milimetra në disa zona që nga fundjava, sipas shërbimit meteorologjik.
Sipas medias shtetërore ”Tuoi Tre News”, kompania shtetërore hekurudhore e Hanoit njoftoi pezullimin e disa linjave hekurudhore që lidhin veriun dhe jugun e vendit për shkak të përmbytjeve.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare vendosi helikopterë për të shpëtuar banorët e bllokuar nga përmbytjet.
Zëvendëskryeministri Ho Quoc Dung udhëzoi udhëheqësit e tre provincave më të prekura nga përmbytjet, që të mobilizojnë ushtrinë, policinë dhe forcat e tjera të sigurisë për të evakuuar shpejt njerëzit në zona të sigurta, sipas nje deklarate nga qeveria.
Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën fenomenet meteorologjike më të shpeshta, më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese.
Në Vietnam, fatkeqësitë natyrore kanë marrë të paktën 279 jetë njerëzish dhe kanë shkaktuar më shumë se dy miliardë dollarë dëme, sipas zyrës kombëtare të statistikave.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

