Vijnë emigrantët, fluks në port/ Vlorë, qindra pasagjerë dhe automjete mbërrijnë për festat
schedule12:41 – 21 Dhjetor, 2025
VLORË- Pamjet që shihni vijnë nga Porti i Vlorës, ku dhjetëra makina qëndrojnë në rradhë për të kaluar. Festat e fundvitit kanë sjellë fluks të lëvizjes së qytetarëve në Portin e Vlorës.
Mëngjesin e kësaj të diele kanë mbërritur në qytetin bregdetar rreth 700 pasagjerë dhe mbi 140 automjete me tragetin e linjës Brindisi–Vlorë, duke rritur ndjeshëm numrin e udhëtimeve drejt Shqipërisë për festat e fundvitit.
Sipas të dhënave zyrtare, edhe një ditë më parë në Portin e Vlorës kanë mbërritur rreth 300 pasagjerë.
Autoritetet portuale bëjnë me dije se lëvizjet pritet të vijojnë me intensitet edhe në ditët në vijim. Parashikohet që piku i fluksit të regjistrohet në datat 23–24 dhjetor, si dhe në periudhën 26–29 dhjetor, kur numri i udhëtarëve dhe automjeteve do të jetë më i lartë.
Përballë këtij fluksi, strukturat portuale dhe shërbimet përkatëse janë angazhuar për të garantuar përpunimin normal të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe për të shmangur vonesat apo problematikat gjatë procedurave të hyrje-daljeve./abcnews.al