Viktor Orban merr mbështetje nga Trump në prag të zgjedhjeve në Hungari
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të enjten i dha mbështetje kryeministrit hungarez, Viktor Orban, para zgjedhjeve të 12 prillit në shtetin evropian, duke e quajtur aleatin e tij “lider vërtet të fortë e të fuqishëm” në një shkrim të publikuar në rrjete sociale.
“Marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur pika të reja të larta të bashkëpunimit dhe arritje spektakulare nën administratën time, duke iu falënderuar kryesisht kryeministrit Orban” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.
“Unë isha krenar që e mbështeta Viktorin për t’u rizgjedhur [kryeministër] më 2022 dhe jam i nderuar për ta bërë këtë përsëri” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas një sondazhi të publikuar të martën, partia e qendrës, Tisza, tani për tani gëzon më shumë mbështetje se partia Fidesz e Orbanit, ndërsa partia e së djathtës ekstreme, Atdheu Ynë, është në rrugë të mirë për të hyrë në Kuvend.
Nacionalisti Orban ballafaqohet me sfidën më të madhe ndaj pushtetit të tij që nga ardhja në krye të vendit më 2010, edhe pse rezultati i zgjedhjeve ende mbetet i paqartë. Sipas sondazheve, shumë votues ende nuk kanë vendosur se kë do ta mbështesin.
© BalkanWeb