Virozat prekin fëmijët/ Shtohen rastet në Pediatrinë e QSUT, mjekët: Viruse të rrezikshme
Ndryshimi i kushteve atmosferike javët e fundit ka ndikuar në shtim të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat dhe gripi stinor.
Krahas tyre, shefja e shërbimit infektiv në pediatri, Xhorxhina Kule, thotë se raste te shtuara ka pasur edhe nga virusi respirator sinsincial, i cili prek rrugët e frymëmarrjes. Ky virus prek kryesisht të vegjlit 0 deri në tre muaj, dhe është mjaft i rrezikshëm për fëmijët, deri në fatalitet.
“Vazhdojmë të kemi akoma Covid, por, kemi viruset respiratore, adeno viruset, që japin edhe skuqje të syve, dhe prekje të mushkërive. Viruset e influencës, që ne i quajmë në gjuhën popullore grip. Influenca A, B. Dhe kemi edhe viruset e tjera siç është ai Sinsincial. Akoma nuk jemi te piku, por, kemi edhe RSV. I cili është shumë i rrezikshëm për moshat e vogla 0-3 muajsh, që jep atë bronkiolitin, mbylljen nga infeksioni të rrugëve të frymëmarrjes”, thotë shefja e Infektivit në Pediatri, Xhorxhina Kuli.
Në parandalimin e virusit Sinsincial, ose siç njihet ndryshe RSV, rol mjaft të rëndësishëm luan vaksinimi, sidomos i fëmijëve të lindur prematurë, pasi përbëjnë edhe risk më të lartë për tu prekur. Mjekët infeksionistë, dhe ata të Institutit të Shëndetit Publik, por, jo vetëm kanë propozuar futjen e vaksinës për “RSV” në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit, si dhe vaksinimin e nënave shtatzëna.
“Ne po përpiqemi me komitetin e vaksinave, me ISHP-në, me komitetin e pediatërve që të sensibilizojmë të vaksinojmë bebet e vogla, sidomos ata me risk. Më të predispozuar për të bërë një infeksion të tillë.
Po lobojmë edhe për vaksinimin e nënave shtatzënave, që të transmetoj antikorpet tek bebi, thotë Kuli.
Sipas mjekëve piku i gripit pritet të arrij në muajin janar, ndaj bluzat e bardha këshillojnë prindërit të jenë vigjilentë ndaj të vegjëlve, duke mos neglizhuar asnjë simptomë, por, të kërkojnë ndihmë pranë mjekut të familjes.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!