Vllaznia “i fik” dritat Dinamos në Tiranë: leksion shkodran nga djemtë e Edi Martinit. Ja si ndryshon renditja (VIDEO)
19 Janar 2026
23:15
Telesport
Pas fitores së rëndësishme ndaj Egnatias, Vllaznia ka nisur 2026 në mënyrë perfekte dhe sonte në “Air Albania Stadium” mundi me rezultatin 2-0 Dinamon, në një ndeshje që kuqeblutë madje kishin shanset për të thelluar diferencën me gola duke qenë se goditën shtyllën, shpërdoruan dy kundërsulme dhe panë edhe një gol t’i anulohej.
Ishte një sfidë e pazakontë pasi pati një pushim shumë më të gjatë se zakonisht për shkak të problemeve me energjinë elektrike në pushimin e ndeshjes. Për rreth 35 minuta nuk u luajt dhe madje lojtarët zbritën në pjesën e dytë në fushë duke bërë nxehjen nga e para.
Gjithsesi, në të dy pjesët, ishte Vllaznia e cila ishte më e qartë në krijimin e rasteve. Ekipi i Edi Martinit shënoi me penalltinë e shndërruar në gol nga Balaj dhe më pas në pjesën e dytë vulosi gjithçka me Kallakun në minutën e 85-të.
Sot u luajtën tri ndeshjet e mbetura qe ulen siparin e javë së 20-të të Abissnet Superiore. Fituan Partizani dhe Vllaznia, respektivisht përballë Teutës dhe Dinamos. Vora dhe Tirana u ndanë në barazim. Ditën e djeshme ishin luajtur ndeshjet e tjera, ku Egnatia dhe Elbasani u ndanë në barazim 2-2 kurse Flamurtari fitoi 3-0 ndaj Bylisit.
Vllaznia ka bërë kthimin e madh në dy javët e fundit. Tashmë ekipi i Martinit e shikon veten në vendin e dytë me vetëm 2 pikë më pak se Egnatia kryesuese. “Final Four” plotësohet me Elbasanin dhe Dinamon.