“Vodhën 20 mln euro, hodhën dhera në vend të urave”, Toska: Tuneli i Llogarasë u ndërtua pa hekur! Mund të vriten njerëz
Gazetari Almer Toska, i ftuar në News24, ka zbardhur detaje tronditëse nga dosja hetimore e tunelit të Llogorasë dhe akuzat ndaj Belinda Ballukut, e cila aktualisht është e pezulluar nga detyra dhe me pasaportë të bllokuar nga GJKKO.
Sipas Toskës, Evis Berberi dhe Valter Begaj dyshohet të kenë vjedhur rreth 20 milionë euro duke shmangur ndërtimin e urave të parapara në projekt:
“Të gjithë dheun që kanë nxjerrë nga tuneli e kanë hedhur në vend të urave. Në hyrje dhe në dalje duheshin ura betoni me kolona, por ata kanë hedhur dheun aty për të shmangur ndërtimin e tyre. Kështu kursyen miliona euro,” deklaroi gazetari.
Më tej, Toska zbuloi se tuneli i Llogarasë është ndërtuar pa leje dhe aktualisht është pa kolaudim teknik. Madje, sipas tij, prokurori i çështjes ka shkuar personalisht në qeli për të pyetur Evis Berberin: “Prokurori e pyeti Berberin: ‘Kush e ka bërë kolaudimin?’ Berberi tha: ‘Një kompani greke’. Kur i kërkuan emrat e personave, Berberi dha disa emra. Hetimet treguan se këta persona nuk kanë hyrë kurrë në Shqipëri. Kolaudim krejtësisht fiktiv dhe i llahtarshëm.”
Gazetari shtoi një detaj që ngre alarmin për sigurinë publike: “Tuneli është pa hekur në strukturë. Mund të vriten njerëz në çdo moment.”
Ndërkaq, Toska e cilësoi Belinda Ballukun si “kryesoren e aferës”: “Ajo ka firmosur kontratën e bashkëpunimit që ka korrupsion brenda. Ka prishje të barazisë në tendera, dhënie 100% me koncesion e një vepre publike, gjë që e ndalon ligji në mënyrë të qartë. Kompania turke që e ka marrë punën nuk ka sjellë asnjë makinë në Shqipëri,” përfundoi gazetari.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb