Xabi Alonso në “mëshirën” e Sevilla, lamtumirë si Bernd Schuster?
19 Dhjetor 2025
12:46
Alfred Lleshi
Real Madridi luan këtë të shtunë ndaj Sevilla në “Bernabéu”. Një “finale” tjetër për Xabi Alonson, që në rast humbjeje mund të shkarkohet. Një skenar i njohur te “Los Blancos” pas vizitave të Sevilla. E fundit ishte dhjetori 2008 kur Sevilla fitoi 4-3 në “Bernabéu” dhe pak orë më pas, Bernd Schuster u shkarkua si trajner.
Ishte 9 dhjetori 2008; gjermani u largua jo vetëm për humbjen ndaj Sevilla, por edhe deklaratën e tij pas ndeshjes. I ndodhur para “El Clasico”, Schuster tha: “Më duket e pamundur të fitojmë të shtunën në ‘Camp Nou’ ndaj Barcelonës”. Fjalët e tij shteruan durimin e drejtuesve të Realit, që më pas e zëvendësuan me Juande Ramos. Atë sezon, Real Madridi fitoi vetëm Superkupën e Spanjës.
Tani, Xabi Alonso po luan sërish postin e tij, ndaj Sevilla. Çdo rezultat tjetër përveç fitores mund të nënkuptojë largimin e tij, duke ripërsëritur historinë e Schuster, pa ose me deklarata të bujshme pas ndeshjes.