Zidane zbulon recetën e suksesit te Real Madridi: Gjithmonë në dispozicion të lojtarëve
16 Janar 2026
12:19
Alfred Lleshi
Zinedine Zidane mori pjesë në programin “Slowmotions Talks” në kanalin YouTube të Hamidou Msaidie, së bashku me David Bettoni, ku diskutuan për eksperiencat e tyre në futboll.
Mbërritja si trajner tek ekipi i parë: “Unë shkova te Real Madridi më 2014. Më 3 ose 4 janar 2016 fillova punë me ekipin e parë. Ishte shpejt për mua. Në gjashtë muaj u gjenda tek ekipi i parë. Kalimi ndodhi natyrshëm. Njihja dhomën e zhveshjes, kuptoja si funksionon lojtari… Punonim shumë në fillim, të martën në 9 të mëngjesit fillonim dhe dilnim në 11 të natës duke përgatitur gjëra. Kishim ekipin më të mirë në botë. Kur shikoja lojtarët, thoja: nëse bëjmë një punë të mirë, mund të arrijmë diçka të jashtëzakonshme. Dhe ndodhi kështu”.
Vendimet e para: “Kujtoj që kishim tri javë dhe nuk luanim Kupat e Europës, vetëm La Liga-n. Për tri javë punonim nga e hëna deri ndeshjen tjetër. U takuam me katër kapitenët dhe iu thamë çfarë donim të bënim, ata iu bashkuan projektit tonë. Fizikisht nuk ishin në gjendje të mirë, e pamë nga të dhënat. Përgatitëm stërvitje kardio 20–30 minuta gjatë tri javëve në qendrën e stërvitjes. Kuptuam që ata do të kishin nevojë për ‘karburant’, siç thonim, për të arritur nivelin fizik të nevojshëm për Champions-in, që vinte më pas”.
Pika e kthesës: “Ndeshja me Wolfsburg na ndihmoi për finalen e Champions-it, edhe për La Liga-n. Demonstruam që deri në finale ishim konkurrues. Iu thashë lojtarëve: Nëse luajmë me Atlético Madrid ose Barcelonën, do të humbim 100%. Nëse punojmë së bashku, atëherë mund t’i mundim. Dhe kështu ndodhi. Në janar nuk do të kishim fituar ndaj tyre, por në fund të sezonit fituam me të dyja, Barcelonën në La Liga dhe Atlético Madridin në Champions”.
Marrëdhënia me lojtarët: “Te Real Madridi ishim në dispozicion të lojtarëve. Për mua, kjo është ajo që e bën ekipin të fortë: të jesh aty për lojtarin. Nëse nuk e kupton këtë, nuk mund të qëndrosh në këtë profesion. Ne jemi aty për t’i mbështetur; duhet t’u tregosh që je pranë lojtarëve. Për ta pranuar atë që dëshiron të implementosh, dhoma e zhveshjes duhet të të pëlqejë. Nëse lojtarët nuk pajtohen me gjithçka, nga stërvitjet e deri te vendimet, gjithmonë do të mungojë diçka. Me ne, besoj që e shijuan shumë në çdo nivel”.